Inkurajohen nënat që t’i ushqejnë foshnjat me gji


Në kuadër të shënimit të Javës për të Ushqyerit me Qumësht Gjiri në Kosovë, ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi dhe shefi i UNICEF-it në Kosovë, Johanes Wedening, kanë inkurajuar sot nënat kosovare që të ushqejnë me qumësht të gjirit fëmijët e tyre të lindur.

Ata vizituan të premten Klinikën e Gjinekologjisë dhe të Obstetrikës dhe njësinë e Maternitetit, me ç’rast ministri Gashi i ka inkurajuar nënat e reja që t’i ushqejnë me qumësht gjiri fëmijët duke theksuar se Ministria ka kërkuar në Ligjin e ri për shëndetësinë që pushimi i lehonisë të jetë një vjet.

Shefi i UNICEF-it në Kosovë, Johanes Wedening, tha se është shumë e rëndësishme që nënat të ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht të gjirit për të siguruar kështu një fillim të shëndetshëm të jetës.

Kurse, drejtori i KGJO-së, Shefqet Lulaj, tha se me një përkushtim të madh në këtë klinikë është ulur shkalla e vdekshmërisë së nënës dhe fëmijës. Sipas tij synim mbetet ulja edhe e sëmundshmërisë, në mënyrë që Kosova të krahasohet me vendet e Evropës.

Java e të ushqyerit me qumësht të gjirit që sivjet temë ka: “Të përkrahim të ushqyerit me gji – a jeni ju të gatshëm”, thërret përpiluesit e politikave, vendimmarrësit, punëtorët shëndetësor, anëtarët e familjeve dhe komunitetit për të siguruar kushtet adekuate që nënat të ushqejnë ekskluzivisht fëmijët me qumësht gjiri.

Në Kosovë, shkalla e të ushqyerit ekskluziv me qumësht të gjirit për foshnjat deri në 6 muaj është vetëm 12%, ndërsa deri në 4 muaj është 16% (MNSS 2001).

Në bazë të hulumtimeve të ndryshme, të ushqyerit optimal gjatë dy viteve të parë të jetës, e posaçërisht nëse foshnjat ushqehen vetëm me qumësht gjiri gjatë 6 muajve të parë të jetesës, kjo mund të shmangë nga 12 deri në 15% të vdekshmërisë të fëmijëve nën 5 vjeç në vendet në zhvillim.

0 comments:

Post a Comment